Në kuadër të projektit “Thyerja e Barrierave: Fuqizimi i të Rinjve që Nuk Dëgjojnë për Punësim Gjithëpërfshirës në Shqipëri”, Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që Nuk Dëgjojnë (ANAD) dhe Qendra për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare (QSKN/CCIS) zhvilluan një takim pune në Shkodër, me synim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe mbështetjen e integrimit të personave që nuk dëgjojnë në tregun e punës.
Takimi mblodhi përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) në nivel rajonal, anëtarë të komunitetit të personave që nuk dëgjojnë, ekspertë të CCIS për këshillimin e karrierës dhe punësimin, si dhe përfaqësues të programit BE për Përfshirjen në Tregun e Punës (EU4LMI) nga PNUD (UNDP). Diskutimet u fokusuan në identifikimin e sfidave që has komuniteti në aksesimin e tregut të punës dhe në përcaktimin e mekanizmave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve lokalë.
Një komponent i rëndësishëm i projektit është referimi i rasteve individuale drejt institucioneve përgjegjëse dhe shërbimeve mbështetëse, përfshirë Shërbimin Social Shtetëror dhe organizata të tjera lokale që ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuara. Kjo qasje synon të krijojë një sistem më të koordinuar mbështetjeje dhe të lehtësojë aksesin në mundësi punësimi, formimi profesional dhe shërbime sociale.
Takimi në Shkodër përfaqëson një tjetër hap në zbatimin e projektit, i cili do të vijojë me aktivitete të ngjashme në Tiranë, Kamëz dhe Vorë, duke promovuar një model bashkëpunimi që mbështet përfshirjen ekonomike dhe sociale të personave që nuk dëgjojnë.
Disclaimer
*Ky publikim është përgatitur në kuadër të projektit “Thyerja e Barrierave: Fuqizimi i të Rinjve që Nuk Dëgjojnë për Punësim Gjithëpërfshirës në Shqipëri”, zbatuar nga Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që Nuk Dëgjojnë (ANAD) në partneritet me Qendrën për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare (QSKN/CCIS), me mbështetjen e BE për Përfshirjen në Tregun e Punës (EU4LMI), një program i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga PNUD (UNDP), Shërbimi Publik i Punësimit i Suedisë (Swedish Public Employment Service) dhe ADRF, në partneritet me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. Projekti zbatohet në bashkitë Tiranë, Shkodër, Vorë dhe Kamëz dhe synon të përmirësojë aksesin e personave që nuk dëgjojnë në tregun e punës përmes zhvillimit të kapaciteteve, këshillimit për karrierën, bashkëpunimit institucional dhe ndërgjegjësimit publik.




