Në kuadër të projektit “Fostering Trust and Utilization in Albania’s Data Landscape (STATEALB)”, Qendra për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare (QSKN/CCIS) prezantoi gjetjet paraprake të dokumenteve të politikave gjatë një takimi të zhvilluar në Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri.
Në prani të Shkëlqesisë së Saj, znj. Ruth Huber, Ambasadore e Zvicrës në Shqipëri, ekipi i ekspertëve të CCIS prezantoi rezultatet kryesore të analizave dhe rekomandimeve të hartuara për sektorë të ndryshëm, përfshirë shoqërinë civile, median, akademinë dhe biznesin. Dokumentet synojnë të identifikojnë faktorët që ndikojnë në besimin dhe përdorimin e statistikave zyrtare, si dhe të ofrojnë rekomandime për forcimin e kulturës së të dhënave dhe vendimmarrjes së bazuar në evidencë në Shqipëri.
Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi për të diskutuar gjetjet paraprake me përfaqësues të Ambasadës së Zvicrës dhe për të marrë komente e sugjerime që do të kontribuojnë në përmirësimin e dokumenteve përpara fazës së validimit.
CCIS vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri dhe angazhimin e saj në promovimin e përdorimit të statistikave zyrtare dhe të dhënave cilësore si bazë për politika publike më efektive, transparencë dhe qeverisje të mirë. Hapi i radhës i projektit do të fokusohet në validimin e rekomandimeve dhe prezantimin e rezultateve përfundimtare.
Disclaimer
Ky publikim është përgatitur në kuadër të projektit “Fostering Trust and Utilization in Albania’s Data Landscape (STATEALB)”, zbatuar nga Qendra për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare (QSKN/CCIS) me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Zvicrës apo të Qeverisë Zvicerane.*
