Në kuadër të portofolit të saj për Qeverisjen e Mirë, Qendra për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare (QSKN/CCIS) ka nisur një bashkëpunim me Helvetas Albania, në kuadër të programit Bashki të Forta (BtF), për hartimin e tre kurrikulave të trajnimit dhe forcimin e kapaciteteve të këshillave bashkiakë në 61 bashkitë e Shqipërisë.
Nisma synon të kontribuojë në forcimin e qeverisjes vendore demokratike përmes zhvillimit të kapaciteteve në fushat e politikëbërjes strategjike, planifikimit, buxhetimit të përgjegjshëm, monitorimit të performancës, mbikëqyrjes së shërbimeve publike dhe zhvillimit ekonomik vendor. Në bashkëpunim me një grup ekspertësh kombëtarë, CCIS po udhëheq procesin e hartimit, konsultimit dhe validimit të kurrikulave që do të shërbejnë si bazë për programin kombëtar të trajnimeve.
Në kuadër të këtij procesi, u zhvillua një takim koordinues me përfaqësues të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, si dhe me kryetarë dhe anëtarë të këshillave bashkiakë nga bashki të ndryshme të vendit.
Takimi shërbeu për diskutimin dhe validimin e përmbajtjes së kurrikulave, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për zhvillimin profesional të përfaqësuesve të qeverisjes vendore. Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të kapaciteteve institucionale dhe promovimit të një kulture vendimmarrjeje më të informuar, transparente dhe të bazuar në evidencë në nivel vendor.
Disclaimer
Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të Akademisë së Trajnimeve për Qeverisjen Vendore (TALGA) dhe programit Bashki të Forta (BtF), i zbatuar nga Helvetas me mbështetjen financiare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Qeverisë së Suedisë, në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) dhe Shoqatën Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Helvetas, SDC apo Qeverisë së Suedisë.
#CCIS #TALGA #BashkiteEForta #Helvetas #QeverisjaVendore #KeshillatBashkiake #NdertimiIKapaciteteve #Politikeberje #QeverisjeEMire #VendimmarrjeEBazuarNeEvidence
