Forcimi i kapaciteteve të këshillave bashkiake është një element thelbësor për përmirësimin e cilësisë së qeverisjes vendore dhe mbështetjen e vendimmarrjes së bazuar në evidencë.
Gjatë muajve qershor–korrik 2026, Qendra për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare (QSKN/CCIS) përfundoi me sukses zhvillimin e shtatë trajnimeve kombëtare për anëtarët e këshillave bashkiake nga e gjithë Shqipëria, bazuar në kurrikulën “Roli i Këshillave Bashkiake në Politikëbërjen Strategjike, Planifikimin, Buxhetimin dhe Monitorimin Vendor.”
Trajnimet u zhvilluan nga ekipi i ekspertëve të CCIS: Prof. Dr. Nevila Xhindi, Lorena Totoni, Lindita Oshafi, Eneida Marku, Vilma Petro dhe Aurrel Plaku, të cilët ofruan ekspertizë mbi planifikimin strategjik, proceset e politikëbërjes vendore, buxhetimin, monitorimin e performancës dhe mekanizmat e mbikëqyrjes institucionale.
Programi mblodhi së bashku kryetarë të këshillave bashkiake, sekretarë të këshillave, këshilltarë bashkiakë dhe anëtarë të komisioneve të ekonomisë dhe financave, duke krijuar një hapësirë për shkëmbimin e përvojave, diskutimin e praktikave të mira dhe forcimin e kompetencave për një qeverisje vendore më efektive, transparente dhe të orientuar drejt rezultateve.
Këto trajnime u zhvilluan në kuadër të Akademisë së Trajnimeve për Qeverisjen Vendore (TALGA), duke kontribuar në zhvillimin profesional të përfaqësuesve të qeverisjes vendore dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale të këshillave bashkiakë në të gjithë vendin.
Disclaimer
Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të Akademisë së Trajnimeve për Qeverisjen Vendore (TALGA) dhe programit Bashki të Forta (BtF), i zbatuar nga Helvetas me mbështetjen financiare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Qeverisë së Suedisë, në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) dhe Shoqatën Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Helvetas, SDC apo Qeverisë së Suedisë.













