Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Statistikës, Qendra për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare (QSKN/CCIS) iu bashkua aktivitetit të organizuar nga INSTAT, së bashku me përfaqësues të institucioneve publike, akademisë, medias, sektorit privat dhe shoqërisë civile, për të vlerësuar rolin e statistikave zyrtare në mbështetje të politikëbërjes, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Nën moton “Ndryshimi fillon me statistika cilësore dhe të dhëna të aksesueshme për të gjithë”, aktiviteti theksoi rëndësinë e prodhimit dhe përdorimit të statistikave të besueshme si bazë për vendimmarrje të informuar dhe qeverisje të bazuar në evidencë.
Përmes projektit “Fostering Trust and Utilization in Albania’s Data Landscape (STATEALB)”, CCIS kontribuon në forcimin e besimit ndaj statistikave zyrtare dhe promovimin e përdorimit të tyre nga institucionet, biznesi, media, akademia dhe shoqëria civile. Nisma synon të mbështesë zhvillimin e një kulture të të dhënave që rrit transparencën, llogaridhënien dhe cilësinë e politikave publike.
Statistikat janë një instrument thelbësor për të kuptuar zhvillimet sociale dhe ekonomike, për të identifikuar sfidat dhe për të hartuar politika publike që i përgjigjen nevojave reale të qytetarëve. Për këtë arsye, promovimi i statistikave cilësore dhe i aksesit të barabartë në të dhëna mbetet një prioritet për CCIS dhe partnerët e saj.
Disclaimer
Ky publikim është përgatitur në kuadër të projektit “Fostering Trust and Utilization in Albania’s Data Landscape (STATEALB)”, zbatuar nga Qendra për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare (QSKN/CCIS) me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Zvicrës apo të Qeverisë Zvicerane.



