Në kuadër të projektit “Thyerja e Barrierave: Fuqizimi i të Rinjve që Nuk Dëgjojnë për Punësim Gjithëpërfshirës në Shqipëri”, Qendra për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare (QSKN/CCIS) dhe Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që Nuk Dëgjojnë (ANAD) zhvilluan një takim pune me gra që nuk dëgjojnë nga Kamza dhe Vora, me fokus këshillimin për karrierën dhe promovimin e mundësive për punësim gjithëpërfshirës.
Takimi kishte si objektiv informimin mbi procedurat e punësimit, identifikimin e nevojave individuale dhe diskutimin e sfidave që personat që nuk dëgjojnë hasin në aksesimin e shërbimeve publike dhe programeve të punësimit. Përmes një dialogu të hapur me pjesëmarrëset, u evidentuan pengesat kryesore që vazhdojnë të kufizojnë pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës.
Ndër sfidat më të rëndësishme të identifikuara ishin mungesa e informacionit të aksesueshëm në gjuhën e shenjave, vështirësitë në orientimin profesional, pengesat gjatë regjistrimit dhe aksesimit të shërbimeve publike, si dhe pjesëmarrja e kufizuar në programet e punësimit dhe të formimit profesional. Gjetjet e këtij takimi do të kontribuojnë në orientimin e aktiviteteve të projektit dhe në hartimin e rekomandimeve për përmirësimin e aksesit në shërbime dhe zgjerimin e mundësive për punësim gjithëpërfshirës.
Takime të tilla përbëjnë një komponent të rëndësishëm të qasjes së projektit, duke siguruar që ndërhyrjet të bazohen në nevojat reale të komunitetit. CCIS dhe ANAD do të vijojnë bashkëpunimin me komunitetin, institucionet publike dhe sektorin privat për të promovuar mundësi të barabarta punësimi dhe për të avancuar përfshirjen sociale të personave që nuk dëgjojnë.
Disclaimer
Ky publikim është përgatitur në kuadër të projektit “Thyerja e Barrierave: Fuqizimi i të Rinjve që Nuk Dëgjojnë për Punësim Gjithëpërfshirës në Shqipëri”, zbatuar nga Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që Nuk Dëgjojnë (ANAD) në partneritet me Qendrën për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare (QSKN/CCIS), me mbështetjen e BE për Përfshirjen në Tregun e Punës (EU4LMI), një program i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga PNUD (UNDP), Shërbimi Publik i Punësimit i Suedisë (Swedish Public Employment Service) dhe ADRF, në partneritet me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, PNUD-së apo partnerëve zbatues.
#CCIS #ANAD #EU4LMI #PunesimGjitheperfshires #DisabilityInclusion #CareerGuidance #EqualOpportunities #SocialInclusion #EmploymentPolicies #EUProjects
