Të rinjtë shkodranë në mbështetje të zhvillimit të Universitetit të Shkodrës
Projekti “Nga Fjala tek Veprimi-Aktivizëm për punën rinore përmes inovacionit dhe krijimtarisë”, mbështëtur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) dhe I zbatuar nga SCiDEV në bashkëpunim me QSKN/CCIS dhe ESN Albania, solli sëbashku në një forum të hapur me 9 Mars 2022 rreth 80 të rinj shkodranë, gjimnazistë, pedagogë, drejtues të strukturave administrative vendore, të cilët diskutuan mbi Universitetin e Shkodrës , të ardhmen e tij e të studentëve të diplomuar në tregun rajonal të punës.
Universiteti I Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, po synon të karakterizohet gjithnjë e më shumë si një qendër akademike cilësore dhe inovatore, si një realitet i ri dhe dinamik duke ofruar një alternativë serioze në panoramën e Arsimit të Lartë. Integrimi i tij në proceset social-ekonomike lokale dhe rajonale, garanton një shtytje të rëndësishme të komponentëve të ndryshëm të shoqërisë, në mirëqënien dhe ndërgjegjësimin e saj. Kufijtë e rinj të zhvillimit ekonomik bazohen gjithnjë e më shumë në dije, prandaj Universiteti synon të jetë faktor vendimtar në ekonominë e dijes, nëpëmjet formimit të profesionistëve të rinj, të gatshëm të përballen me sfidat e tregut të punës dhe në të njëjtën kohë të shfrytëzojnë mundësitë që bota dhe tregjet ndërkombëtare ofrojnë.
Nisur nga kjo sa më sipër, pas disa takimeve paraprake, diskutimeve dhe vendimmarrjeve, Armandi, Elsa, Gilmani, Syrjai dhe Maria grupi I studentevë shkodranë të angazhuar në projekt, mbështetur nga mentorët e Qendrës për Studime të Krahuasuara dhe Ndërkombëtare (QSKN/CCIS), të ndjeshëm karshi përformancës së Universitetit të Shkodrës si qendër e arsimit të lartë për Rajonin e Veriut të Shqipërisë, të vetëdisjshëm që Universiteti ka nevojë për studentët e tij të jenë aktive dhe të jenë konkurrues në tregun e punës, vendosën që tematika e Forumit në Shkodër të ishte “Iniciativat e të rinjve shkodranë në mbështetje të zhvillimit të Universitetit të Shkodrës”.
Forumi u moderuar nga vetë të rinjtë organizatorë dhe u përshëndet nga znj. Kleina Kasanai, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Rinisë e cila nënvizoi faktin që AKR për herë të parë kishte mbështetur financiarisht zabtimin e 12 iniciativave/ideve fituese me në fokus rininë, nga organizatat e shoqërisë civile dhe bashkitë e Shqipërisë, ku një ndër të spikaturit ishte edhe projekti“ Nga Fjala tek Veprimi-Aktivizëm për punën rinore përmes inovacionit dhe krijimtarisë”. Ajo theksoi që pas konsultimeve disa mujore me të rinjtë së shpejti do të kemi edhe miratimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë dhe planin e veprimit të saj, dhe AKR do të mbështësë zbatimin e saj dhe ideve inovatore që do gjenerohen nga të rinjtë.
Forumi solli në vëmëndje disa tematika të lidhura ngushtë me Universitetin dhe të rinjtë, si lidershipi studentor, jeta studentore, kurrikulat, karriera dhe tregu I punës, studentët përtej auditorit universitar dhe sigurisht pati shumë diskutime rreth tyre.
Investimi në cilësinë e mësimdhënies, pa diskutim, është një përparësi e Universitetit të Shkodrës, me qëllim që procesi i trasferimit të dijeve të jetë gjithnjë e më i harmonizuar me njohuritë më të përparuara kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu objektiv i rëndësishëm është edhe favorizimi i metodologjive të reja dhe mësimdhënia inovative, që e pozicionojnë studentin në qendër të procesit duke inkurajuar të menduarin kritik, përgatitjen për tregun e punës dhe promovimin e dialogut student-pedagog.
Për sa i përket interesit rajonal, në forum u diskutua që universiteti I Shkodrës duhet të synojë trajnimin e specialistëve në sektorët e turizmit- sektor prioritar, menaxhimit të tij, trashigimisë kulturore dhe shërbimeve financiare.
Një tjetër diskutim I rëndësishëm ishte edhe përdorimi me efektivitet i marrëveshjeve ekzistuese mbi praktikat e studentëve dhe arritja e marrëveshjeve të reja që synojnë krijimin e lidhjeve reale me tregun e punës me qëllim punësimin e mundshëm të tyre si edhe krijimi i një mekanizmi ndërlidhës efektiv e të drejtpërdrejtë të Zyrës së Karrierës dhe Alumni me departamentet e ndryshme të universitetit. U propozua që në fokus duhet të jenë edhe studimet e tregut për përmirësimin e programeve të studimit apo kurrikulave.
Një tjetër sugjerim u dha edhe për atraktivitetin e diplomave të ciklit të parë të studimeve nëpërmjet kurrikulave të tyre të pasuruara dhe të përshtatura me tregun e punës. U theksua gjithashtu edhe rëndësia i vizionit strategjik për zhvillimin e masterave dhe specializimeve, masterat profesional janë lidhja direkte me tregun e punës, prandaj një fokus të veçantë do të ketë oferta formuese e tyre. Gjithashtu, programet e studimit të ciklit të parë duhet të harmonizohen me programet e studimit të ciklit të dytë.
U diskutua edhe për angazhimin për aplikime në projekte me objekt kryesor përmirësimin e kurrikulave, dhe shkëmbimin e studenteve siç janë projektet në Erasmus +, ndërkombëtarizimi i programeve të studimit dhe shqyrtimi i mundësive për krijimin dhe realizimin e programeve të përbashkëta dhe të dyfishta studimi me universitete të huaja, sidomos të programeve që zhvillohen në gjuhën angleze.
Forumi publik “Iniciativat e të rinjve shkodranë në mbështetje të zhvillimit të Universitetit të Shkodrës”, I organizuar nga studentët shkodranë në kuadër të projektit “Nga Fjala tek Veprimi-Aktivizëm për punën rinore përmes inovacionit dhe krijimtarisë” u mbyll me sukses, por sigurisht duhet të pasohet nga aktivizmi I të rinjve për të bërë realitet çfarë u diskutua aty, dhe kjo është sfida e tyre në vijim!