CCIS dhe Helvetas nisin bashkëpunimin për forcimin e qeverisjes vendore në Shqipëri
Në kuadër të portofolit të saj për Qeverisje të Mirë, Qendra për Studime të Krahasuara dhe Ndërkombëtare (CCIS) ka nisur një bashkëpunim të ri me Helvetas Albania në kuadër të programit “Bashki të Forta”, për hartimin e tre kurrikulave trajnimi dhe zhvillimin e kapaciteteve të këshillave bashkiakë në 61 bashkitë e Shqipërisë.
Kjo nismë synon të forcojë qeverisjen vendore demokratike përmes politikëbërjes strategjike, buxhetimit të përgjegjshëm dhe monitorimit të performancës në nivel lokal. CCIS, në bashkëpunim me një grup ekspertësh kombëtarë, po udhëheq procesin e hartimit dhe validimit të kurrikulave përpara fazës së trajnimit.
Dje zhvilluam një takim shumë produktiv me përfaqësues të Agjencisë së Mbështetjes së Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, ASPA, si dhe disa kryetarë dhe anëtarë këshillash bashkiakë. Së bashku po ndërtojmë themelet për një kulturë vendimmarrjeje më të informuar, transparente dhe të përgjegjshme në qeverisjen vendore.






