Thyerja e Barrierave: Dialog Vendor për Punësim gjithëpërfshirës në Kamëz

Në kuadër të projektit “Thyerja e Barrierave: Fuqizimi i të Rinjve që Nuk Dëgjojnë për Punësim Gjithëpërfshirës në Shqipëri”, zhvilluam një takim konsultues në Kamëz, me një pjesëmarrje të gjerë të komunitetit që nuk dëgjon. Kamza përfaqëson një nga zonat me numër të konsiderueshëm të kësaj kategorie, duke e bërë këtë proces konsultimi thelbësor për hartimin e Planeve të Punësimit të bazuara në nevoja reale.
Diskutimet u përqendruan në sfidat konkrete që hasen në procesin e punësimit barrierat në komunikim, mungesa e mundësive të përshtatura, niveli i ulët i pagesave të mbështetjes dhe nevoja për politika vendore më aktive që nxisin integrimin në tregun e punës.
Pjesëmarrja aktive e komunitetit solli rekomandime konkrete, të cilat do të reflektohen në hartimin e Planeve të Punësimit, me qëllim krijimin e mekanizmave më efektivë dhe gjithëpërfshirës në nivel vendor. Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Bashkisë Kamëz, të cilët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim institucional në zbatimin e masave që do të propozohet.
Takimi u zhvillua në Sallën e Rinisë, pranë Qendrës Kulturore Kamëz, duke forcuar dialogun mes komunitetit dhe institucioneve vendore për politika më të drejta dhe të aksesueshme për të gjithë.
Deklaratë: BE për Përfshirjen në Tregun e Punës (EU4LMI) financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga PNUD, Zyra Suedeze e Punësimit Publik dhe ADRF në partneritet me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.
Comments for this post are closed.