Takim e diskutime me te rinjte ne Tirane – Projekti KUERS-TEYC

Ky aktivitet u zhvillua në formën e diskutimit mes të ftuarëve, Prof Asoc Dr Roland Lami, Geron Kamberi, Nevila Xhindi dhe 20 të rinj të qytetit të Tiranës, kryesisht, të moshës 20-25 vjeç.
Në këtë takim u trajtuan format e komunikimit të kujtesës kolektive, impresionet e të rinjve për kujtesën kulturore dhe atë komunikative.
Qëllimi parësor ishte ndërgjegjësimi i brezit të ri për kulturën e kujtesës. Kujtesa historike mbetet një element tepër thelbësor për rrugëtimin e brezit të ri drejt të ardhmes Europiane.
U diskutua se kjo e ardhme nuk mund të përqafohet aq lehtë, pa kuptuar preardhjen, kulturën, dhe formimin e identitetit tënd. Duke e kthyer kokën nga e historia jonë, arrimë të kuptojmë pse jemi të ngjashëm apo të ndryshëm nga identitete të tjera Europiane. Nuk mundet të ketë zhvillim të një identiteti të caktuar, pa u kuptuar historia dhe kultura e tij.
Të ftuarit dhe të rinjtë diskutuan se sa e rëndësishme është kujtesa historike e vendit, me qëllim që ky i fundit të shkojë drejt zhvillimit ekonomik, politik dhe shoqëror.
Në këtë takim, studentët vunë theksin tek disa pjesë të sistemit komunist në Shqipëri që per ta mbeten të panjohura apo disi gri. Për ta, ka shumë rëndësi mënyra se si është përjetuar nga paraardhësit regjimi komunist I tri dekadave më pare, e cila ndikon më pas në mënyrën se si komunikohet tek brezi I mëvonshëm.
Shumë histori të sistemit komunist janë përcjellë në mënyra të ndryshme nga përjetime të ndryshme.
Pikërisht për këtë arsye, të ftuarit vunë një theks të veçantë mbi kujtesën e përjetuar dhe mënyrën si është komunikuar ajo nga njerëz të ndryshëm, duke e kategorizuar përcjelljen historike në: kujtesë pozitive dhe kujtesë negative. Ndodh që shumë njerëz, të cilët kanë qenë ndoshta paksa të përkëdhelur nga ai regjim, flasin me nostalgji dhe me shumë pozitivitet për atë periudhë. Nga i njëjti regjim, shumë të tjerë kanë përjetuar makthe dhe brenga të vërteta dhe si pasojë historinë e regjimit komunist e kanë përcjellë tek brezi pasardhës me konotacione negative.
Të rinjtë sollën në këtë forum, impresionet e tyre nga historitë e treguara dhe të lexuara për regjimin komunist në Shqipëri. Ata sollën shembuj të ndryshëm të dëgjuar nga paraardhësit për mënyrën se si gjyshërit dhe prindërit e tyre kishin përjetuar këtë regjim.
Sipas të ftuarëve, kujtesa mbetet e dyzuar nga komunikimi pozitiv dhe komunikimi negativ, pikërisht si pasojë e kësaj ndarjeje të përjetimit nga njerëzit që kanë jetuar atë kohë. Studiues, historianë, sociologë dhe ekspertë të kulturës duhet të punojnë fort që kujtesa të largohet nga ngjyra gri dhe të mund të analizohet me sa më shumë të dhëna empirike, të cilat do të ndihmojnë brezin e ri që të njohin kulturën e kujtesës dhe të shkojnë të sigurtë drejt të ardhmes Europiane.
Të gjithë pjesëtarët e këtij takimi ishin dakord se, kultura e kujtesës ka shumë rëndësi për brezin e ri, pasi duke mësuar dhe kuptuar drejt të kaluarën e vendit tënd, do të mund të identifikohesh, do të mund të shmangësh gabimet e së shkuarës, do të mund të vendosësh paqe me identitetet e tjera dhe do të mund të vijosh drejt zhvillimit.
Brezi i ri, nuk mund të dijë ku po shkon, pa kuptuar se ku është në të vërtetë dhe prej nga vjen realisht.

Projekti “ Kultura e kujtesës dhe e ardhmja Europiane e të rinjve Shqiptarë” zbatohet nga Qendra per Studime të Krahasuara dhe Nderkombëtare” dhe SCiDEV, dhe mbeshtetet nga “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” (Tirana European Youth Capital 2022), qe do të zbatohet gjatë vitit 2022 nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.
Ky titull i është akorduar Tiranës në kuadër të nismës European Youth Capital nga Forumi Rinor Evropian.

Comments for this post are closed.