“Thyerja e Barrierave”: Hapat e Radhës për Përfshirjen e të Rinjve që Nuk Dëgjojnë në Tiranë
Takim me gra që nuk dëgjojnë nga Tirana – Hapi tjetër drejt përfshirjes në tregun e punës
Në vijim të aktiviteteve të projektit “Thyerja e Barrierave: Fuqizimi i të Rinjve që Nuk Dëgjojnë për Punësim Gjithëpërfshirës në Shqipëri”, sot zhvilluam një takim pune në ambientet e ANAD me anëtarë të komunitetit të personave që nuk dëgjojnë nga Tirana
Qëllimi i këtij takimi ishte këshillimi i karrierës, informimi mbi procedurat e punësimit dhe identifikimi i nevojave dhe sfidave që ky komunitet has në aksesimin e shërbimeve publike dhe programeve të punësimit. Diskutimet ishin shumë të hapura dhe na ndihmuan të kuptojmë më mirë realitetin e përditshëm të të rinjve që nuk dëgjojnë, të cilët përballen shpesh me:
- Mungesën e informacionit në gjuhën e shenjave për shërbimet publike.
- Vështirësinë në orientimin profesional dhe në përzgjedhjen e programeve të përshtatshme të punësimit.
- Pengesa administrative gjatë regjistrimit në zyrat e punës apo në programe trajnuese.
- Kufizime në aksesin në kurse formimi profesional dhe në përfshirjen aktive në tregun e punës.
Identifikimi i rasteve individuale dhe nevojave reale është një hap i rëndësishëm për t’i dhënë drejtim ndërhyrjeve tona në terren dhe për të ndërtuar zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme.
Deklaratë: Projekti “BE për Përfshirjen në Tregun e Punës – EU4LMI” financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP Albania, në partneritet me Zyrën Suedeze të Punësimit Publik dhe ADRF, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.









