Projekti KUERS ne Shkoder me te rinjte-Krijimi i hapësirës për dialog dhe reflektim përmes kulturës së kujtesës
Me dt.7 korrik 2022 në Shkodër pranë Qendrës Rinore Arka u zhvillua takimi me 15 të rinj shkodranë ne kuader te projktit me temë “Kultura e kujtesës dhe e ardhmja europiane e të rinjve shqiptarë”. Ky takim u realizua duke pasur parasysh objektivat e projektit:
Krijimi i hapësirës për dialog dhe reflektim përmes kulturës së kujtesës dhe Nxitja e dialogut mes aktivistëve rreth pasqyrimit të rregjimit të kaluar.
Ky takim u moderua nga Brikenë Dionizi – koordinatore lokale dhe folës kryesor ishin studenti Armando Lekaj, Kryetar i Këshillit Studentor Institucional për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe pedagogia e Degës Histori pranë Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Nertila Ljarja dhe konsulente e projektit Prof. nevila Xhindi. Ndërkohë që studenti Armando Lekaj e trajtoi të kaluarën komuniste si një histori e dëgjuar nga prindërit dhe jo vetëm, Prof. Ljarja e trajtoi atë në këndvështrimin historik. Kjo e fundit theksoi vështirësinë e historianëve për të qenë objektiv në vlerësimin e fakteve sidomos në kohën e një rregjimi diktatorial.
Sipas Lekaj: “Është e vështirë që sot një i ri të ndërtojë gjithçka nga asgjëja sepse të rinjtë nuk vendosen në kushtet që meritojnë të jenë. Nuk u jepet besimi, mbështetja e duhur. Por nuk është koha për justifikime dhe fajësime, është koha për zgjidhje. A vjen integrimi nëpërmjet të rinjve?! Të rinjtë ishin ata që vendosën themelet e një modeli të ri në vitet ‘90, duke rrëzuar atë komunist.“
Dhe sipas Prof. Ljarja: ”…marrëdhënia mes politikës dhe historisë ka qenë gjithmonë një marrëdhënie e vështirë. Rrethanat në kohë dhe vende të ndryshme kushtëzojnë marrëdhënien mes politikës dhe historisë, duke u kuptuar herë si politizim i historisë e herë si ndikim i historisë në procesin politik, ose të dyja bashkë.”
Gjatë trajtimeve që bëri secili nga folësit si dhe në vazhdim lindën diskutime mes të rinjve
mbi mënyrën sesi ata e perceptojnë të kaluarën,
cilat janë burimet e informacionit,
si ju transmetohet kjo e kaluar e
sa ndikim ka në të tashmen e tyre
cili është drejtimi që ata duan të marrin e
sa e rëndësishme është për ta që të shohin drejt të ardhmes europiane.
Diskutimet u moderuan nga znj. xhindi dhe ishin interesante. U vlerësua që nga ana e tyre ka interes e dëshirë për të ditur, por edhe sa e vështirë është për ta të marrin informacion objektiv. U theksua domosdoshmëria për të zhvilluar mendimin kritik e nevoja për ta parë të kaluarën pa ngarkesa emocionale, me dëshirën për të ditur të vërtetat në mënyrë që të ndërtojmë një të tashmë e të ardhme të shëndoshë. Mest ë rinnjve u diskutua që akoma në familje e në shoqëri ekziston frika. Nëse në periudhën e komunizmit ke pasë frikë të flasësh se mund të ndodhte që fillonte persekutimi personal, familjar e farefisnor, prapëseprapë në shoqërinë tonë ekziston frika, frika të flasësh e të veprosh se mund të ndodhë që të të heqin nga puna. Pra sipas tyre, persekutimi mbetet në shoqëri pavarësisht se i tjetërsuar, ata e perceptojnë frikën tek prindërit e tyre, të shoqëria që i rrethon. Por, sic thotë Lekaj: “Të rinjtë ishin ata që vendosën themelet e një modeli të ri në vitet ’90, duke rrëzuar atë komunist”, prandaj dhe sic u theksua dhe nga të rinjtë të pranishëm, janë të rinjtë ata që do vendosin të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, ta ndërtojnë mbi baza të shëndosha duke marrë shembull të vendeve europiane të cilët pavarësisht të shkuarës së tyre komuniste, duke u bazuar në kulturën e kujtesës, arritën të ndërtonin shtete demokratike dhe totalisht të integruar në vlerat europiane.
Së fundi, u vlerësua edhe mundësia që sigurohet nëpërmjet projekteve të tilla për të diskutuar, për të marrë informacion e për të krijuar rrjete.
Projekti “ Kultura e kujtesës dhe e ardhmja Europiane e të rinjve Shqiptarë” zbatohet nga Qendra per Studime të Krahasuara dhe Nderkombëtare” dhe SCiDEV, dhe mbeshtetet nga “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” (Tirana European Youth Capital 2022), qe do të zbatohet gjatë vitit 2022 nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.
Ky titull i është akorduar Tiranës në kuadër të nismës European Youth Capital nga Forumi Rinor Evropian.