CCIS dhe ANAD vijojnë konsultimet ne Vore për punësim gjithëpërfshirës

CCIS dhe ANAD vijojnë konsultimet me komunitetin e personave që nuk dëgjojnë, në kuadër të projektit “Thyerja e Barrierave: Fuqizimi i të Rinjve që Nuk Dëgjojnë për Punësim Gjithëpërfshirës në Shqipëri”.
Këtë javë ishim në Vorë, ku zhvilluam një takim me anëtarë të komunitetit që nuk dëgjon për të diskutuar sfidat reale që hasin në gjetjen e një vendi pune – nga stigmatizimi dhe mungesa e aksesit, deri te mundësitë e kufizuara për punësim në nivel lokal dhe vështirësitë për të udhëtuar drejt Tiranës, ku përqendrohen më shumë alternativa punësimi.
Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues të Shërbimit Social të Bashkisë Vorë dhe të Qendrës Multidisiplinare Vorë, të cilët shprehën angazhimin e tyre për të mbështetur integrimin e kësaj kategorie në tregun e punës.
Së bashku po ndërtojmë Plane Punësimi më gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në nevojat konkrete të komunitetit.
Deklaratë:

Projekti “Thyerja e Barrierave: Fuqizimi i të Rinjve që Nuk Dëgjojnë për Punësim Gjithëpërfshirës në Shqipëri” zbatohet nga Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që Nuk Dëgjojnë (ANAD) në partneritet me Qendrën për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare (CCIS), në kuadër të projektit të BE-së për Përfshirjen në Tregun e Punës (EU4LMI), financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga PNUD, Zyra Suedeze e Punësimit Publik dhe ADRF, në partneritet me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

Comments for this post are closed.