Në kuadër të portofolit të saj për Qeverisjen e Mirë, Qendra për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare (QSKN/CCIS) ka nisur një bashkëpunim me Helvetas Albania, në kuadër të programit Bashki të Forta (BtF), për hartimin e tre kurrikulave të trajnimit dhe forcimin e kapaciteteve të këshillave bashkiakë në 61 bashkitë e Shqipërisë.
Nisma synon të kontribuojë në forcimin e qeverisjes vendore demokratike përmes zhvillimit të kapaciteteve në fushat e politikëbërjes strategjike, planifikimit, buxhetimit të përgjegjshëm, monitorimit të performancës, mbikëqyrjes së shërbimeve publike dhe zhvillimit ekonomik vendor. Në bashkëpunim me një grup ekspertësh kombëtarë, CCIS po udhëheq procesin e hartimit, konsultimit dhe validimit të kurrikulave që do të shërbejnë si bazë për programin kombëtar të trajnimeve.
Ky projekt zhvillohet me mbeshtetjen e Akademisë së Trajnimeve për Qeverisjen Vendore (TALGA) dhe programit Bashki të Forta (BtF), i zbatuar nga Helvetas me mbështetjen financiare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Qeverisë së Suedisë, në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) dhe Shoqatën Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Helvetas, SDC apo Qeverisë së Suedisë.





