Peizazhi urban në Tiranë dhe kujtesa publike – nje dite ndryshe me te rinjte e projektit KUERS-TEYC

CCIS ne kuader te projektit “Kultura e kujtesës dhe e ardhmja Europiane e të rinjve shqiptarë”, në bashkëpunim me #SCiDEV organizoi sot me nxenës e studentë një guide me temë “Peizazhi urban në Tiranë dhe kujtesa publike”
🙋‍♂️🙋Bashkë me guiden profesioniste na u bashkuan edhe profesoret Xhindi, Lami. Heba, Kamberi dhe diskutimet u benë aq shumë interesante gjatë gjithe ecjes e pushimeve për kafe e ujë…( ditë e nxehtë korriku, Tirana zhurit, por ne nuk e ndalëm guiden😊)
Peizazhi urban në Tiranë duhet të përfaqësojë kujtesën publike të qytetarëve të Tiranës. Nga këndvështrimi i drejtësisë tranzicionale, hapësira publike duhet të marrë vlerë edhe si mjet i paqtimit social. Shfrytëzimi i hapësirës publike me memorialë, monumente, muze, godina përmes vizualizimit ndikon te ndjesitë dhe përshtypjet e njerëzve.
Ndalesat nën drejtimin e guidës profesionale u bënë në disa nga vendet e memories kolektive si Shtëpia me Gjethe, sheshi Skëmderbej e Muzeu Kombëtar, BunkerART

Projekti “ Kultura e kujtesës dhe e ardhmja Europiane e të rinjve Shqiptarë” zbatohet nga Qendra per Studime të Krahasuara dhe Nderkombëtare” dhe SCiDEV në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.

Takim e diskutime me te rinjte ne Tirane – Projekti KUERS-TEYC

Ky aktivitet u zhvillua në formën e diskutimit mes të ftuarëve, Prof Asoc Dr Roland Lami, Geron Kamberi, Nevila Xhindi dhe 20 të rinj të qytetit të Tiranës, kryesisht, të moshës 20-25 vjeç.
Në këtë takim u trajtuan format e komunikimit të kujtesës kolektive, impresionet e të rinjve për kujtesën kulturore dhe atë komunikative.
Qëllimi parësor ishte ndërgjegjësimi i brezit të ri për kulturën e kujtesës. Kujtesa historike mbetet një element tepër thelbësor për rrugëtimin e brezit të ri drejt të ardhmes Europiane.
U diskutua se kjo e ardhme nuk mund të përqafohet aq lehtë, pa kuptuar preardhjen, kulturën, dhe formimin e identitetit tënd. Duke e kthyer kokën nga e historia jonë, arrimë të kuptojmë pse jemi të ngjashëm apo të ndryshëm nga identitete të tjera Europiane. Nuk mundet të ketë zhvillim të një identiteti të caktuar, pa u kuptuar historia dhe kultura e tij.
Të ftuarit dhe të rinjtë diskutuan se sa e rëndësishme është kujtesa historike e vendit, me qëllim që ky i fundit të shkojë drejt zhvillimit ekonomik, politik dhe shoqëror.
Në këtë takim, studentët vunë theksin tek disa pjesë të sistemit komunist në Shqipëri që per ta mbeten të panjohura apo disi gri. Për ta, ka shumë rëndësi mënyra se si është përjetuar nga paraardhësit regjimi komunist I tri dekadave më pare, e cila ndikon më pas në mënyrën se si komunikohet tek brezi I mëvonshëm.
Shumë histori të sistemit komunist janë përcjellë në mënyra të ndryshme nga përjetime të ndryshme.
Pikërisht për këtë arsye, të ftuarit vunë një theks të veçantë mbi kujtesën e përjetuar dhe mënyrën si është komunikuar ajo nga njerëz të ndryshëm, duke e kategorizuar përcjelljen historike në: kujtesë pozitive dhe kujtesë negative. Ndodh që shumë njerëz, të cilët kanë qenë ndoshta paksa të përkëdhelur nga ai regjim, flasin me nostalgji dhe me shumë pozitivitet për atë periudhë. Nga i njëjti regjim, shumë të tjerë kanë përjetuar makthe dhe brenga të vërteta dhe si pasojë historinë e regjimit komunist e kanë përcjellë tek brezi pasardhës me konotacione negative.
Të rinjtë sollën në këtë forum, impresionet e tyre nga historitë e treguara dhe të lexuara për regjimin komunist në Shqipëri. Ata sollën shembuj të ndryshëm të dëgjuar nga paraardhësit për mënyrën se si gjyshërit dhe prindërit e tyre kishin përjetuar këtë regjim.
Sipas të ftuarëve, kujtesa mbetet e dyzuar nga komunikimi pozitiv dhe komunikimi negativ, pikërisht si pasojë e kësaj ndarjeje të përjetimit nga njerëzit që kanë jetuar atë kohë. Studiues, historianë, sociologë dhe ekspertë të kulturës duhet të punojnë fort që kujtesa të largohet nga ngjyra gri dhe të mund të analizohet me sa më shumë të dhëna empirike, të cilat do të ndihmojnë brezin e ri që të njohin kulturën e kujtesës dhe të shkojnë të sigurtë drejt të ardhmes Europiane.
Të gjithë pjesëtarët e këtij takimi ishin dakord se, kultura e kujtesës ka shumë rëndësi për brezin e ri, pasi duke mësuar dhe kuptuar drejt të kaluarën e vendit tënd, do të mund të identifikohesh, do të mund të shmangësh gabimet e së shkuarës, do të mund të vendosësh paqe me identitetet e tjera dhe do të mund të vijosh drejt zhvillimit.
Brezi i ri, nuk mund të dijë ku po shkon, pa kuptuar se ku është në të vërtetë dhe prej nga vjen realisht.

Projekti “ Kultura e kujtesës dhe e ardhmja Europiane e të rinjve Shqiptarë” zbatohet nga Qendra per Studime të Krahasuara dhe Nderkombëtare” dhe SCiDEV, dhe mbeshtetet nga “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” (Tirana European Youth Capital 2022), qe do të zbatohet gjatë vitit 2022 nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.
Ky titull i është akorduar Tiranës në kuadër të nismës European Youth Capital nga Forumi Rinor Evropian.

Projekti KUERS ne Shkoder me te rinjte-Krijimi i hapësirës për dialog dhe reflektim përmes kulturës së kujtesës

Me dt.7 korrik 2022 në Shkodër pranë Qendrës Rinore Arka u zhvillua takimi me 15 të rinj shkodranë ne kuader te projktit me temë “Kultura e kujtesës dhe e ardhmja europiane e të rinjve shqiptarë”. Ky takim u realizua duke pasur parasysh objektivat e projektit:
Krijimi i hapësirës për dialog dhe reflektim përmes kulturës së kujtesës dhe Nxitja e dialogut mes aktivistëve rreth pasqyrimit të rregjimit të kaluar.
Ky takim u moderua nga Brikenë Dionizi – koordinatore lokale dhe folës kryesor ishin studenti Armando Lekaj, Kryetar i Këshillit Studentor Institucional për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe pedagogia e Degës Histori pranë Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Nertila Ljarja dhe konsulente e projektit Prof. nevila Xhindi. Ndërkohë që studenti Armando Lekaj e trajtoi të kaluarën komuniste si një histori e dëgjuar nga prindërit dhe jo vetëm, Prof. Ljarja e trajtoi atë në këndvështrimin historik. Kjo e fundit theksoi vështirësinë e historianëve për të qenë objektiv në vlerësimin e fakteve sidomos në kohën e një rregjimi diktatorial.
Sipas Lekaj: “Është e vështirë që sot një i ri të ndërtojë gjithçka nga asgjëja sepse të rinjtë nuk vendosen në kushtet që meritojnë të jenë. Nuk u jepet besimi, mbështetja e duhur. Por nuk është koha për justifikime dhe fajësime, është koha për zgjidhje. A vjen integrimi nëpërmjet të rinjve?! Të rinjtë ishin ata që vendosën themelet e një modeli të ri në vitet ‘90, duke rrëzuar atë komunist.“
Dhe sipas Prof. Ljarja: ”…marrëdhënia mes politikës dhe historisë ka qenë gjithmonë një marrëdhënie e vështirë. Rrethanat në kohë dhe vende të ndryshme kushtëzojnë marrëdhënien mes politikës dhe historisë, duke u kuptuar herë si politizim i historisë e herë si ndikim i historisë në procesin politik, ose të dyja bashkë.”
Gjatë trajtimeve që bëri secili nga folësit si dhe në vazhdim lindën diskutime mes të rinjve
mbi mënyrën sesi ata e perceptojnë të kaluarën,
cilat janë burimet e informacionit,
si ju transmetohet kjo e kaluar e
sa ndikim ka në të tashmen e tyre
cili është drejtimi që ata duan të marrin e
sa e rëndësishme është për ta që të shohin drejt të ardhmes europiane.
Diskutimet u moderuan nga znj. xhindi dhe ishin interesante. U vlerësua që nga ana e tyre ka interes e dëshirë për të ditur, por edhe sa e vështirë është për ta të marrin informacion objektiv. U theksua domosdoshmëria për të zhvilluar mendimin kritik e nevoja për ta parë të kaluarën pa ngarkesa emocionale, me dëshirën për të ditur të vërtetat në mënyrë që të ndërtojmë një të tashmë e të ardhme të shëndoshë. Mest ë rinnjve u diskutua që akoma në familje e në shoqëri ekziston frika. Nëse në periudhën e komunizmit ke pasë frikë të flasësh se mund të ndodhte që fillonte persekutimi personal, familjar e farefisnor, prapëseprapë në shoqërinë tonë ekziston frika, frika të flasësh e të veprosh se mund të ndodhë që të të heqin nga puna. Pra sipas tyre, persekutimi mbetet në shoqëri pavarësisht se i tjetërsuar, ata e perceptojnë frikën tek prindërit e tyre, të shoqëria që i rrethon. Por, sic thotë Lekaj: “Të rinjtë ishin ata që vendosën themelet e një modeli të ri në vitet ’90, duke rrëzuar atë komunist”, prandaj dhe sic u theksua dhe nga të rinjtë të pranishëm, janë të rinjtë ata që do vendosin të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, ta ndërtojnë mbi baza të shëndosha duke marrë shembull të vendeve europiane të cilët pavarësisht të shkuarës së tyre komuniste, duke u bazuar në kulturën e kujtesës, arritën të ndërtonin shtete demokratike dhe totalisht të integruar në vlerat europiane.
Së fundi, u vlerësua edhe mundësia që sigurohet nëpërmjet projekteve të tilla për të diskutuar, për të marrë informacion e për të krijuar rrjete.

Projekti “ Kultura e kujtesës dhe e ardhmja Europiane e të rinjve Shqiptarë” zbatohet nga Qendra per Studime të Krahasuara dhe Nderkombëtare” dhe SCiDEV, dhe mbeshtetet nga “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” (Tirana European Youth Capital 2022), qe do të zbatohet gjatë vitit 2022 nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.
Ky titull i është akorduar Tiranës në kuadër të nismës European Youth Capital nga Forumi Rinor Evropian.